Fatime Gashi është kurorëzuar Miss Manchester 2018. Nga një refugjate në Mbretëreshë të Bukurisë, studentja e Mjekësisë fitoi zemrat e jurisë me dukjen e saj duke finalizuar momentin me një mesazh prekës “sa herë që ju ndihmoni dikë, ju jeni hero”, raporton “manchestereveningneës”, transmeton albinfo.ch.

21-veçarja Fatime Gashi së bashku me familjen e saj u larguan nga Kosova në vitin 1999 për shkak të gjendjes së luftës për të nisur një jetë të re në Mançester, qytet të cilin e quajnë si shtëpinë e tyre tashmë.

Fatimja ishte vetëm 2-vjeç kur familja e saj u largua nga Kosova për Britaninë e Madhe për të shpëtuar nga tmerret e luftës. Ata kanë ndërtuar një jetë të re.

“Mançesteri më ka dhënë kaq shumë dhe ndihem sikur kjo është mënyra ime e kthimit në qytetin tim në shtëpi. Kjo ende po më duket si një ëndërr “, ka thënë Gashi, e cila shtoi se kurrë nuk ka besuar që do të fitonte.

Fatimja ka thënë po ashtu se ajo është shtyrë nga të afërmit e saj që të aplikonte për këtë konkurs bukurie.

Ndërsa babai i saj, Demush Gashi ka thënë se ndihet krenar me vajzën e tij. “Ti më bën një baba jashtëzakonisht krenar, të dua shumë”, ka shkruar ai në “Facebook”.